Ndërprerja e IPARD thelloi hendekun e bujqësisë shqiptare me Rajonin
Banka Botërore: Ndërprerja e IPARD ka ulur financimin për investime në bujqësi, ndërsa fondet e munguara nuk janë zëvendësuar nga skemat kombëtare.

Ndërprerja e programit IPARD ka ulur ndjeshëm mbështetjen për investime në bujqësinë shqiptare, duke e lënë vendin me një nga nivelet më të ulëta të financimit për modernizimin e sektorit në rajon.
Sipas Bankës Botërore, ndërprerja e zbatimit të IPARD reduktoi ndjeshëm fondet realisht të disponueshme për investime, ndërsa financimi i munguar nuk u zëvendësua nga skemat kombëtare në vitin 2023. Megjithëse fondet e alokuara nga Bashkimi Europian mbetën në dispozicion, ato nuk mund të përdoren për financimin e investimeve në Shqipëri për shkak të ndërprerjes së programit.
Si pasojë, grantet për investime dhe masat e zhvillimit rural pothuajse u zhdukën nga struktura e mbështetjes bujqësore. Ndërkohë, buxheti i Shqipërisë u përqendrua kryesisht te subvencionet afatshkurtra për kostot e prodhimit, veçanërisht karburantin dhe mbështetjen e kufizuar për blegtorinë.
Fermerët humbasin aksesin në grante që mbulojnë deri në 70 për qind të investimeve
Fondet IPARD kanë rëndësi të veçantë për sektorin bujqësor, pasi mbulojnë përmes granteve të pakthyeshme nga 50 deri në 70 për qind të kostove të pranueshme të investimeve. Ato mund të përdoren për modernizimin e fermave, blerjen e pajisjeve, përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore, diversifikimin e aktiviteteve rurale dhe zhvillimin e zinxhirëve të prodhimit ushqimor.
Mungesa e aksesit në këto fonde rëndon veçanërisht mbi fermerët dhe sipërmarrjet e vogla, të cilat kanë mundësi të kufizuara për të financuar investimet përmes kredive bankare.
Sipas Bankës Botërore, tregu shqiptar i financimit bujqësor vazhdon të karakterizohet nga fragmentimi i fermave, informaliteti dhe problemet me kolateralin. Bankat përqendrohen kryesisht te bizneset më të mëdha agro-ushqimore, ndërsa institucionet mikrofinanciare mbulojnë një pjesë të rëndësishme të kreditimit rural, me norma interesi që mund të tejkalojnë 20 për qind.
Në mungesë të financimit nga IPARD dhe me garanci të kufizuara nga shteti, mundësitë për investime mbeten të pakta, sidomos për fermerët e vegjël.
Studimi evidenton gjithashtu dobësitë e skemave kombëtare të mbështetjes, të cilat ndryshojnë shpesh nga një vit në tjetrin dhe nuk ofrojnë parashikueshmëri për realizimin e investimeve afatgjata.
Banka Botërore rekomandon rikthimin e mbështetjes për investimet
Përveç ndikimit financiar, ndërprerja e IPARD pengon edhe forcimin e kapaciteteve institucionale. Banka Botërore thekson se agjencitë e akredituara për administrimin e fondeve europiane kanë luajtur një rol të rëndësishëm në përmirësimin e procedurave, disiplinës financiare, transparencës dhe sistemeve të kontrollit në vendet e rajonit.
Për Shqipërinë, raporti rekomandon rikthimin e një kuadri të qëndrueshëm mbështetjeje për investimet dhe marrjen e akreditimit për IPARD, duke i konsideruar këto ndër prioritetet strategjike të politikës bujqësore.
IPARD III, Shqipëria ka të alokuara 112 milionë euro, por programi nuk ka nisur
Për periudhën 2021–2027, Bashkimi Europian ka parashikuar gjithsej 560 milionë euro për programin IPARD III në katër vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas Komisionit Europian, pjesën më të madhe të financimit e ka Serbia, me 288 milionë euro, e ndjekur nga Shqipëria me 112 milionë euro, Maqedonia e Veriut me 97 milionë euro dhe Mali i Zi me 63 milionë euro.
Megjithatë, ndryshe nga tri vendet e tjera, Shqipëria nuk e ka nisur ende zbatimin e IPARD III, për shkak të mungesës së autorizimit për administrimin e fondeve.
Banka Botërore vlerëson se ndërprerja e programit ka reduktuar ndjeshëm financimin për investime në bujqësinë shqiptare, pa u kompensuar nga skemat kombëtare, duke zgjeruar diferencën me vendet e tjera të rajonit në mbështetjen për modernizimin e sektorit.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)